Libri i Transparencës

Shkarko Librin e Transparencës

Libri i Transparencës përbën një faktor shumë të rëndësishëm për transparencën e procesit të Maturës Shtetërore dhe vihet në shërbim të të gjithë maturantëve/ kandidatëve që dëshirojnë të studiojnë në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP).

Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të drejtë, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të regjistrimeve në IALP.

Tashmë të gjithë maturantët/kandidatët e shkollave të mesme të Republikës, kanë marrë rezultatet e të katër provimeve të Maturës Shtetërore. Tek Libri i Transparencës, çdo maturant/ kandidat gjen të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme dhe provimeve të Maturës Shtetërore:

 

  1. Notën ose pikët mesatare të viteve të shkollimit të mesëm,
  2. Rezultatin e provimit të Letërsisë,
  3. Rezultatin e provimit të Matematikës
  4. Rezultatet e të dy provimeve të lëndëve me zgjedhje të detyruar

 

Gjithashtu aty ai gjen dhe preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2, për programet e studimit, që ofrojnë IALP-të për vitin akademik 2013-2014.

Mbi bazën e elementeve të lartpërmendura, në këtë libër publikohen pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, këto të llogaritura mbi bazën e koeficienteve të profileve të shkollave, si dhe lëndëve me zgjedhje të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASH).

Libri i Transparencës, do të përmbajë të dhënat e maturantëve / kandidatëve të çdo shkolle të vendit. Libri i Transparencës i seleksionuar për çdo shkollë do t’u shpërndahet DAR/ZA-ve përkatëse. Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë rezultuar kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe kanë aplikuar online me formularin A2.

Nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në një nga katër provimet, pra janë vlerësuar me notën 4 (katër), si edhe ata maturantë që nuk kanë nota D1, D2, Z1 dhe Z2 kaluese të pasqyruara në bazën e të dhënave, apo kanë të paplotësuar notën, ose pikët mesatare të shkollës së mesme.

Secili kandidat maturant ka hapësirën e tij në Librin e Transparencës, ku në rreshtin e parë jepen:

Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të

Maturës Shtetërore;

Në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve vlerësues të

Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave përllogariten pikët.

Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë përzgjedhur prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tre koeficientet për secilin program studimi sipas kësaj renditje:

I pari: koeficienti i shkollës (KSH);

I dyti: koeficienti për provimin e lëndës së parë me zgjedhje të detyruar (KZ1);

I treti: koeficienti për provimin e lëndës së dytë me zgjedhje të detyruar (KZ2) si dhe

Pikët e grumbulluara në atë program studimi

Në librin e transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e maturantit/kandidatit (emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja) me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale. Këto të dhëna maturanti/kandidati mund t’i shikojë në shkollën e tij, ku ka mbaruar studimet e mesme ose ku është regjistruar për të aplikuar me formularin A2.

Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me konkurs (shih në faqen e AKP-së www.akp.gov.al ose në faqen e internetit të MASH www.mash.gov.al ).

Në librin e transparencës për ata maturantë/kandidatë që kanë dhënë provime me zgjedhje dhe kanë të pasqyruara të 5 elementet për llogaritjen e pikëve, për programet e studimit që janë me konkurse nuk janë llogaritur pikët. Ato janë shënuar me vlerën zero, meqenëse konkurset do zhvillohen më vonë. Për rrjedhojë ato nuk janë pikët përfundimtare për ato programe studimi, sepse në fazën e shpërndarjes së të drejtave të studimit, pikët për programet e studimit me konkurse do të llogariten siç edhe është shpjeguar më lart (me formulën për programet e studimit me konkurse).

Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili maturant/kandidat mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tija në Librin e Transparencës. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë e Shkollave dhe Drejtoritë Arsimore të rretheve (shih Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive).